Qëllimi i tryezës ishte diskutimi i modaliteteve dhe përfitimeve nga bashkëpunimi i Komisioneve Parlamentare, duke i parë mundësitë e organizimit të takimeve të përbashkëta në funksion të rritjes së efikasitetit të punës së Komisioneve.

Në tryezë të pranishëm ishin kryetarët e Komisioneve të Kuvendit, zyrtarë të administratës së Kuvendit, përfaqësues të organizatave partnere të Kuvendit si dhe përfaqësues të institucioneve që i raportojnë Kuvendit.

Edhe pse ekziston një bashkëpunim, nga të pranishmit u konsiderua se bashkëpunimi i deritanishëm në mes komisioneve nuk është i mjaftueshëm, dhe ka nevojë të përmirësohet sidomos në aspektin e mbikëqyrjes financiare, çka do të ndikonte pozitivisht në rritjen e efikasitetit gjatë procesit të buxhetimit. Ndërsa, Zenun Pajaziti, Kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri theksoi se bashkëpunimi si nocion është një prej sfidave të vetë shoqërisë sonë e cila është në zhvillim e sipër. Z. Pajaziti përmendi dy mangësitë kryesore në këtë proces: nga ana teknike mungon hapësira në Ndërtesën e Kuvendit, kurse nga ana politike mungon vullneti dhe përvoja e deputetëve.

Ndër pikat kryesore për të cilat u kërkua që të fokusohet më shumë në të ardhmen ishte bashkëpunimi më i madh mes kryetarëve të komisioneve e veçanërisht mes anëtarëve të komisioneve dhe stafit civil të cilët janë edhe memorie institucionale e komisioneve dhe e Kuvendit në përgjithësi. Njëkohësisht u inkurajua edhe mbajtja e takime jo-formale mes këtyre mekanizmave.

Tryeza u organizua si pjesë e aktiviteteve të KIPRED-it në mbështetje Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës.

Shpërndaje këtë artikull