Në këtë analizë theksohet mungesa e një plani serioz nga institucionet Kosovës si dhe mos-përmbushja e mandatit të prezencës ndërkombëtare, gjegjësisht KFOR-it dhe EULEX-it në shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri. Një shpërfillje e tillë e pjesës veriore të Kosovës që nga paslufta ka bërë që ajo pjesë të kontrollohet nga ekstremistët serb të lidhur ngushtë me partitë më të mëdha të Serbisë, si dhe një situatë ku krimi i organizuar i udhëhequr nga dhe në bashkëpunim mes grupeve serbe dhe shqiptare është bërë pjesë e përditshme e asaj pjese.

Ky raport po ashtu shpalosë detajet e 4 pikave të Presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, të cilat po marrin përkrahje ndërkombëtare përderisa institucionet e Kosovës dhe prezenca ndërkombëtare mbesin pa ide për një zgjedhje të duhur. Detajet e njërës prej “4 pikave të Tadiqit” që zgjon kureshtje është pika ku propozohet “status special” për veriun e që me këtë Serbia dëshiron të përfitoj “status dhe të drejtat të shtuara të serbëve në ato komuna të veriut të Kosovës ku serbët janë shumicë, duke formuar një rajon të vetëm të quajtur Veriu i Kosovës me të drejta speciale të përfaqësimit”. Krijimi i një rajoni të tillë, të ngjashëm me Republikën Serbe të Bosnje e Hercegovinës, do ta shndërronte Kosovën në një shtet jo funksional, do të tensiononte marrëdhëniet ndëretnike në jug të Ibrit, dhe do të de-stabilizonte tërë rajonin.

KIPRED propozon një plan të pa-negociueshëm i cili duhet të bazohet vetëm në dispozitat e “Planit të Ahtisarit”, të ketë parasysh perspektivën evropiane të Kosovës dhe stabilitetin rajonal, të përkrahet politikisht dhe funksionalisht nga BE-ja, ShBA-të dhe NATO-ja, dhe të shtojë besimin mes Qeverisë së Kosovës, serbëve në veri dhe Serbisë dhe të jetë në funksion të pajtimit ndëretnik në Kosovë.

Sipas KIPRED, plani duhet të zbatohet urgjentisht dhe në dy faza. Në fazën e parë (emergjente) që do të zgjaste 3 muaj, propozohet që (1) BE ta kushtëzoj Serbinë të vendosë para 9 marsit që nuk do t’i mbaj zgjedhjet lokale në veri; (2) themelimin e Këshillave Tranzitor Komunal për 4 komunat e veriut; (3) zbatimin e sundimit të ligjit duke ndërmarrë hapa konkretë; (4) Zbatimin e plotë të marrëveshjes “IBM”, tabelave të regjistrimit dhe marrëveshjen për lëvizjen e lirë (5) Krijimin e “Fondit Special Zhvillimor” në 5 komunat në veri (Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Zubinpotok, Zveçan, Leposaviq), i cili edhe do të shërbej si model për rajonet tjera të pazhvilluara në Kosovë.

Në fazën e dytë (akomodimi) që do të zgjaste 1 vit, KIPRED propozon (1) funksionalizimin e plotë të Ekipit Përgatitor Komunal të Mitrovicës së Veriut; (2) organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në komunat e veriut që do të njiheshin nga Beogradi më kushtëzimin e BE-së; (3) operacionalizimin e rrjedhës transparente të fondeve pas përfshirjes në bashkëpunim kufitar të komunave; (4) Fillimi i zbatimit të pakos për zhvillim ekonomik për veri të Kosovës që do të përfshinte gjithashtu edhe komunën e Mitrovicës së Jugut; dhe (5) krijimin e hapësirës për investime speciale i cili po ashtu do të shërbente si model për rajonet tjera të pazhvilluara të Kosovës.

Shpërndaje këtë artikull