Letrën drejtuar Presidentes mund ta lexoni më poshtë:

E nderuara zonja Presidente,

Ju drejtohemi me peticionin që vetëm brenda 4 ditësh është nënshkruar nga 12.764 qytetarë të Republikës së Kosovës, e nëpërmjet të cilit shprehet mospajtimi i tyre me versionin e tanishëm të Ligjit për Amnisti, që u votua në Kuvendin e Republikës së Kosovës me datë 11 korrik 2013.

Kërkojmë që në bazë të përgjegjësive tuaja kushtetuese të merrni përsipër adresimin e shqetësimeve të nënshkruesve të këtij peticioni – por edhe të publikut më të gjerë - në mënyrë që një ligj i tillë të jetë në përputhje me standardet e një shteti të së drejtës, një detyrim të cilin Kosova duhet ta zbatojë në përpikëri.

Ne në parim pajtohemi për rëndësinë e ekzistimit të këtij ligji, që ka për qëllim integrimin e pjesës veriore të Republikës së Kosovës, mirëpo në përmbajtjen e tanishme ky ligj del përtej këtij objektivi. Ligji si i tillë prodhon pasoja për funksionimin e sistemit të drejtësisë në tërë territorin e Kosovës.

Ju bëjmë apel që në procesin e shqyrtimit të këtij ligji, sipas kompetencës tuaj kushtetuese, ta ktheni këtë ligj në rishqyrtim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i marrë parasysh vërejtjet e mëposhtme:

1. Ky ligj ka dalë si detyrim nga Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe si i tillë duhet t’u adresohet në mënyrë eksplicite personave/subjekteve të cilat kanë qenë objekt i marrëveshjes në fjalë. Versioni aktual i ligjit është shumë larg bërjes së një dallimi të tillë dhe lejon hapësirë për amnisti edhe të personave/subjekteve që nuk kanë qenë objekt i marrëveshjes në fjalë.

2. Disa nga veprat penale të amnistuara me këtë ligj, jashtë nenit 1.1.15, sikurse krimi ekonomik, kontrabanda, uzurpimi i pronës, armëmbajtja pa leje, zjarrvënia, kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo edhe ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike, nuk duhet lejuar që të amnistohen, nëse nuk kanë qenë të ndërlidhura me kushtin e kryerjes së një vepre penale politike nga strukturat serbe në veriun e Kosovës.

3. Veprat penale të amnistuara me nenin 1.1.15, krijojnë hapësirë të jashtëzakonshme për interpretim dhe keqpërdorim. Nëse qëllimi i vërtetë i kryesve të këtyre veprave penale ka qenë politik, ato duhet ndërlidhur në mënyrë eksplicite me kushtin që kryerësi i veprës së tillë penale ta ketë kryer derisa njëkohësisht ka kryer veprën penale ‘Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’ (Neni 121 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës). Në versionin aktual të nenit 1.1.15, “thirrja për rezistencë”, që nuk ka përkufizim fare, është një vepër penale që mund të pretendohet të jetë kryer jo vetëm nga ata persona/subjekte që kanë vepruar sipas autorizimeve të Serbisë, por edhe nga kushdo tjetër në tërë territorin e Kosovës.

4. Amnistia është akt politik dhe juridik prandaj edhe insistojmë që ai do të duhej të vlente vetëm nga momenti i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për ç’arsye duhet të jetë kufizuar me kohën e fillimit, d.m.th. nga 15 qershori 2008 deri më 20 qershor 2013.

5. Kërkojmë që në procesin e rishikimit të ligjit të përfshihet shoqëria civile dhe ekspertë të pavarur, që është e domosdoshme në mënyrë që ky ligj të mundësojë forcimin e shtetit ligjor të bazuar në parimet e së drejtës dhe vlerave demokratike, e jo në dëm të kësaj të fundit.

Duke qenë të bindur se kjo kërkesë e shprehur përmes peticionit të 12,764 qytetarëve të Republikës së Kosovës do të hasë në përgjigje pozitive nga ana Juaj, Ju lutemi t’i pranoni konsideratat tona më të larta.

Sinqerisht,

Në emër të organizatorëve dhe përkrahësve të peticionit

Shpërndaje këtë artikull