Për të diskutuar në këtë tryezë të pranishëm në panel ishin: Ilir Deda (Drejtor Ekzekutiv i KIPRED), Mimoza Kusari-Lila (Ministre e Tregtisë dhe Industrisë) si dhe Jan Braathu (Ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë). Pas fjalës hyrëse dhe inkurajimit të panelistëve për publikimin, prezantimi i analizës u bë nga autori Shpend Kursani, i cili theksoj se “madhësia ekonomike e Kosovës është shumë e vogël në aspekt të ekonomisë së përgjithshme të rajonit dhe se kjo rezulton më shumë për shkak të mungesës së zhvillimit të brendshëm ekonomik, përkatësisht mungesës së sektorit të prodhimit dhe industrisë, e që nuk është i mjaftueshëm as për konsumin e brendshëm, dhe i cili mbulohet kryesisht nga importet. Me fjalë të tjera, Kosova ka një ekonomi e cila nuk merr pjesë me prodhim në këtë rajon por kryesisht konsumon nga ai”.

Analiza pohon se gjatë viteve 2008-2012 në përgjithësi kishte një rritje ekonomike të Kosovës me mesatare vjetore prej 4.50% të shoqëruar me inflacion të lartë prej më shumë se 5%, çka edhe ndikon negativisht në rritjen reale të ekonomisë së Kosovës. Ndërsa, në aspektin tregtar, autori potencon se gjatë periudhës pesë vjeçare, Kosova gradualisht dhe për një nuancë është integruar më shumë me vendet jashtë këtij rajoni ku përfaqësimi i këtyre vendeve në portfolion e përgjithshme tregtare të Kosovës është rritur për 3%. Integrimi i tregtisë së Kosovës me vendet jashtë rajonit është bërë vetëm në favor të importit nga këto vende në Kosovë, ndërsa në aspekt të eksportit, janë vendet brenda rajonit ato që kanë rritur pjesëmarrjen e tyre në portfolion tregtare të Kosovës. Këtu theksohet se Turqia është i vetmi vend, në këtë rast bllok i rajonit, me të cilin Kosova e ka rritur integrimin si për importe ashtu edhe për eksporte.

Në aspektin e partneritetit tregtar, në vitet 2008 - 2012 Shqipëria qëndron e para për eksportin e Kosovës, përcjellë nga Maqedonia dhe Mali i Zi, ndërsa sa i përket partnerëve importues, tri të parët që nga vitet 2008-2012 janë Maqedonia, Serbia dhe Turqia, me një ngritje të ndjeshme të Serbisë. Ndërsa për specifikat e mallrave ku Kosova është neto importuese e dukshme, thuhet se tregtia e mallrave industriale të Kosovës me rajonin është tri herë më e madhe se tregtia me mallra ushqimore.

Ndikimi i ndërtimit të autostradës ka rezultuar në rritjen e shfrytëzimit të pikës doganore me Shqipërinë por jo edhe në integrimin e ekonomive të të dyja vendeve. Ndërtimi i autostradës sipas Kursanit ka ndikuar vetëm për përdorimin e territorit të Kosovës dhe Shqipërisë për përdorimin e territoreve të këtyre vendeve për importimin dhe eksportimin nga dhe në vende tjera. Ndërlidhur me temën, në analizë thuhet se Hani i Elezit ka qenë pika më e shfrytëzuar doganore për import - eksport ku 51% e eksporteve të Kosovës kanë kaluar nga kjo pike, dhe 34% e importeve kanë hyrë në Kosovë përmes kësaj pike brenda viteve 2008-2012.

Në aspektin e pikave kufitare, nga analiza është konkluduar në kontrabandë dhe mospërputhje të shumta mes të dhënave tregtare me vendet e rajonit, apo edhe të mospërputhjeve statistikore zyrtare mes Agjencive të Statistikave të vendeve përkatëse me ato të Kosovës. Gjithashtu është analizuar edhe reciprociteti 58 ditor me Serbinë, ku mallrat nga Serbia kryesisht janë zëvendësuar me ato nga Maqedonia dhe Kroacia, e më pak nga Greqia e Bullgaria. Ndërsa sipas kësaj analize, produktet nga Shqipëria apo Turqia nuk i kanë zëvendësuar produktet Serbe gjatë periudhës së reciprocitetit.

Si një nga temat kyçe në zhvillimin ekonomik të vendit, investimeve nga jashtë, në analizë vlerësohet se Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë brenda periudhës 2008-2012 kanë shënuar rënie prej 37.61%, ndërsa IHD nga rajoni kanë shënuar një rënie më të vogël prej 11.55%, ku Turqia zë vendin e parë si investuesi më i madh, i përcjellur nga Sllovenia, Bullgaria dhe kështu me radhë.

Ky punim është vetëm fusha e parë nga pesë sosh që KIPRED është duke e bërë në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e rajonit, ku katër të tjerat (analizimi i marrëdhënieve politike të Kosovës me rajonin; analizimi i marrëdhënieve në sektorin e sigurisë të Kosovës me rajonin; analizimi i marrëdhënieve ndëretnike të Kosovës me rajonin; dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata dhe forume rajonale) do të publikohen ndërkohë deri në fund të vitit 2014. Këto publikime mbështeten nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Shpërndaje këtë artikull