Që prej fillimit EULEX-i ka qenë nën kritika të vazhdueshme për paaftësinë e tij që të përmbush mandatin e vet. Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) ka publikuar raportin “Analizë Gjithëpërfshirëse e EULEX-it: Çka më Tutje?””, i cili synon që të adresoj se pse EULEX-i nuk ka qenë në gjendje që të përmbush mandatin e tij, dhe përpos kësaj bën thirrje për tërheqjen graduale dhe të planifikuar të misionit. Raporti gjithashtu ofron një plan se si EULEX-i do të duhej të përfundonte veprimtarinë e tij deri në fund të vitit 2014.
Sipas autorit të këtij raporti, Shpend Kursani, qëllimi i këtij raporti është që të ofroj një analizë gjithëpërfshirëse për punën e EULEX-it, i cili shërben para rishqyrtimit të punës së misionit, që duhet të ndodh në pranverë. Bazuar në raport, edhe pse prania juridike e EULEX-it në Kosovë rrezikon që të sfidohet; legjitimiteti i tij është rritur me kalimin e kohës, veçanërisht në mjedisin e ri të krijuar si rezultat i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur. Misioni nuk mundet vetëm në vetvete që të mbahet përgjegjës për dështimet e tij: konteksti lokal në të cilin misioni vepron sikurse edhe agjenda politike që Brukseli e ndjek në Kosovë dhe në rajon e bëjnë misionin të paaftë që të përmbush mandatin që i është caktuar.
Raporti pohon se misioni ka qëndruar mbi një buxhet të rehatshëm prej 613.8 milionë eurove, në 5 vitet e fundit, që është 75 për qindëshi i burimeve të tërësishme buxhetore të Kosovës të ndara për sundimin e gjerë të ligjit. Ndërkohë, mesatarisht janë vetëm 2.1 aktgjykime të shqiptuara në vit nga një gjyqtar i EULEX-it, derisa vetëm 0.29 aktgjykime të shqiptuara në vit nga një gjyqtar i EULEX-it, në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë. Analiza gjithashtu paraqet disa të dhëna që tregojnë paaftësinë apo mosdashjen e personelit gjyqësor vendor për t’u përballur me rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë. Njëjtë sikurse institucionet vendore të gjyqësisë edhe EULEX-i nuk është kursyer nga ndërhyrjet e jashtme politike në emër të stabilitetit. Puna e EULEX-it është penguar nga politika e tej-matur e Brukselit ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është e qartë për tri arsye: (1) BE-ja e sheh dialogun si të vetmin shteg për zgjidhjen e problemeve madhore në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, (2) këto marrëdhënie janë kyçe për stabilitetin rajonal dhe më e rëndësishmja (3) nuk ka ‘Plan B’ nëse dialogu dështon. Lidhja e punës së EULEX-it me rezultatet dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, rrezikon që ky mision të bëhet mision paqeruajtës duke ndryshuar kështu natyrën dhe mandatin e tij.
Konteksti vendor në të cilin EULEX-i vepron ofron pak shpresa për një mision të tillë ndërkombëtar që ta realizoj mandatin që i është besuar. Sipas Shpend Kursanit, është evidente që forcat lokale të Ballkanizimit po e gllabërojnë misionin evropian poshtë në nivelin e tyre, dhe si i tillë, misioni rrezikon që të mposhtet me “përvojën” vendore në kë aspekt. Ai ka shtuar se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në një shoqëri të gjallë dhe akoma të lidhur në shumë nivele ofron pak shpresa se kërcënimet e tilla mund të trajtohen nga jashtë. Prandaj, ai konstaton se mandati që ka EULEX-i duhet që gradualisht të transferohet për t`u zbatuar nga vendorët.
Në këtë rrafsh, raporti paraqet edhe hapat drejt transformimit gradual të EULEX-it dhe mbylljes eventuale të misionit: (1) Transformimi i funksioneve MMK - Monitorim Mentorim Këshillim në funksione MR (monitorim dhe raportim) (kah fundi i 2013-ës); (2) Krijimi i një “qendre të monitorimit”, e cila në fillim qëndron në EULEX dhe më pas transferohet në Zyrën e BE-së, kah mesi i vitit 2014; (3) Rritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve kompetent vendorë, deri në mes të fillimit të vitit 2013 dhe fundit të vitit 2014; (4) Zvogëlimi gradual i kompetencave ekzekutive të misionit, deri kah fundi i vitit 2014; (5) Rritja e llogaridhënies demokratike të EULEX-it; (6) Zëvendësimi i plotë i EULEX-it me politikën e bazuar të kushtëzimit, deri kah fundi i vitit 2014.