Ky dëgjim publik kishte për qëllim identifikimin e mangësive që hasën gjatë procesit të auditimit të jashtëm të komunave, shqyrtimin e gjetjeve dhe zbatimin e rekomandimeve nga ana e Komunave si dhe të shihen mundësit e përmirësimit të mëtejmë të procesit të auditimit në tërësi. Kjo është hera e parë që pushteti legjislativ mbikëqyr shpenzimet e nivelit lokal.
Përfaqësuesit e Komunave e cilësuan si tejet profesional auditimin e jashtëm nga ana e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), por jo edhe atë që bëhet nga kompanitë private të kontraktuara nga ZAP. Në përgjithësi nga të pranishmit u pajtua që duhet të ketë komunikim më të mirë mes ZAP dhe komunave, sidomos në marrjen parasysh të komenteve të këtyre të fundit.
Të pranishëm në dëgjim publik ishin kryetarët e komunave të Kosovës, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, Asociacioni i Komunave të Kosovës, Agjencioni Kundër Korrupsion, Komisioni Evropian si dhe shoqëria civile.
Dëgjimi publik është organizuar si pjesë e aktiviteteve të KIPRED-it në mbështetje Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, përkrahur nga DFID.