Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) dhe partneri zbatues, Syri i Vizionit (SiV), organizuan një tryezë të rrumbullakët me temë: “Pandëshkueshmëria në Kosovë: Lufta Kundër Korrupsionit të Profilit të Lartë” për të prezentuar të gjeturat dhe diskutuar rreth kësaj çështjeje.

 

Kjo ishte tryeza e katërt e organizuar në kuadër të projektit "Përmbushja e kërkesave të BE-së për Qeverisje të mirë, për Integrimin e mëtejshëm Evropian të Kosovës", projekt i cili është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.


Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga institucionet kyçe të sundimit të ligjit në Kosovë nga niveli qendror dhe lokal si: Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Zyra e Prokurorit Disiplinor, Gjykata Themelore (Gjakovë), Gjykata Themelore (Pejë), dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

 

Fillimisht, u prezentuan të gjeturat fillestare të projektit nga ana e KIPRED dhe SiV, për të vazhduar më tej me diskutimet e akterëve të pranishëm në tryezë. Tryezën e hapi zyrtarja e projektit nga OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë, Vlora Gaxherri, e cila prezantoi para pjesëmarrësve të dhënat e përgjithshme për projektin. 

 

Znj. Ariana Qosaj-Mustafa, menaxhere e këtij projekti dhe njëkohësisht hulumtuese e lartë në KIPRED, prezentoi metodologjinë e punës hulumtuese, të gjeturat e deri më tanishme dhe rekomandimet në fushën e korrupsionit, me fokus profilin e lartë.

 

“Korniza ligjore kundër korrupsionit ka nevojë të plotësohet më tutje, në mënyrë që të rritet efikasiteti në luftimin e korrupsionit, sidomos atij të profilit të lartë. Të dhënat statistikore dëshmojnë se zgjidhja e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë është ende e ulët, për shkak të disa faktorëve duke përfshirë edhe mungesën e vetinciativës nga prokurorët dhe kualitetin e aktakuzave. Po ashtu, në mungesë të vullnetit politik, infrastruktura dhe kapacitetet e institucioneve të sundimit të ligjit vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme” - tha znj. Ariana Qosaj-Mustafa.

 

Pjesëmarrësit në tryezë diskutuan për gjetjet e KIPRED dhe SiV dhe shprehën mendimet e tyre në lidhje me zgjidhjet më efikase rreth çështjes së korrupsionit të profilit të lartë. Diskutimet u fokusuan në përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e institucioneve të Kosovës, në mënyrë që të lehtësohet rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së dhe të tejkalohen problemet e lartëpërmendura.

Shpërndaje këtë artikull