Prishtinë, 30 korrik, 2024 - Një ngjarje e rëndësishme shënoi fillimin e dialogut ndërmjet përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe liderëve fetarë në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve dhe bashkëjetesës ndër-etnike në Kosovë. Pjesëmarrësit e iniciativës qytetare “Karvani Multi-Etnik për Paqe dhe Bashkëjetesë”, i koordinuar nga KIPRED dhe OJQ Aktiv, u takuan me liderët e nderuar fetarë në Prishtinë, z. Vedat ef. Sahitin, Imami i Madh i Bashkësisë Islame të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin, Ipeshkëv i Ipeshkvisë Katolike Prishtinë-Prizren, dhe Pastorin Artur Krasniqi, Kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës.
Gjatë këtyre takimeve, prijësve fetarë iu dorëzuan “Letrat e Dëshirave dhe Pritjeve” të pjesëmarrësve e Karvanit. Letrat, të shkruara nga Leonora Kryeziu, Jovana Radosavljeviċ, Robert Muharremi, Dušan Radakoviċ, Ilir Deda, Senad Saboviċ, Ramadan Ilazi, Dimitrije Obrenoviċ, Mentor Agani dhe Zoran Saviċ, artikuluan një vizion të përbashkët për Kosovën si një shtëpi e të gjithë individëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo fetare. Ata gjithashtu dhanë rekomandime specifike për udhëheqësit fetarë se si të nxisin marrëdhënie më të mira ndëretnike dhe bashkëjetesë përmes predikimeve të tyre dhe nismave të ndryshme.
Udhëheqësit fetarë shprehën përkushtimin e tyre për avancimin e dialogut ndërfetar, rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe mbështetjen e përpjekjeve për përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë.
Këto takime shënojnë fillimin e rrugëtimit të Karvanit nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, ku do të vazhdojnë të takohen me kryetarë komunash dhe liderë fetarë të të gjitha besimeve. Kjo iniciativë është e përkahur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).