Të Bashkuar në Diversitet dhe Përkushtim për Paqe dhe Bashkëjetesë Ndër-Etnike!

Prishtinë, 14 gusht, 2024 - "Karvani multietnik për paqe dhe bashkëjetesë", i koordinuar nga KIPRED dhe OJQ Aktiv, vazhdoi rrugëtimin me një takim të rëndësishëm me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama. Gjatë takimit, pjesëmarrësit e Karvanit i prezantuan "Letrat e dëshirave dhe pritjeve" të tyre kryetarit Rama. Këto letra përmbledhin vizionin kolektiv të pjesëmarrësve të Karvanit për një Kosovë të karakterizuar nga kohezioni shoqëror ndëretnik.

Në takim, pjesëmarrësit adresuan dëshirat dhe pritjet specifike individuale për kryetarin Rama, duke shprehur besimin e tyre në potencialin e tij për të kultivuar harmoninë dhe për të nxitur mirëkuptimin ndëretnik në kryeqytetin e Kosovës – një përpjekje që ata shpresojnë se do të marrë jehonë në të gjithë vendin.

Kryetari Rama shprehu mbështetjen e tij për nismën dhe u zotua për bashkëpunim të vazhdueshëm. Ai theksoi se Prishtina është një qytet i hapur dhe i sigurt, duke mirëpritur të gjithë qytetarët pavarësisht nga etnia, feja apo gjinia.

Na ndiqni ndërsa Karvani udhëton nëpër komuna, duke përhapur mesazhin e paqes, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë!

Shpërndaje këtë artikull