Të premten e kaluar, më 13 shtator 2024, në kuadër të iniciativës 'Karvani Multi-Etnik për Paqe dhe Bashkëjetesë', vazhduam rrugëtimin në Komunën e Graçanicës.
Së bashku me pjesëmarrësit e Karvanit u takuam me Nënkryetarin e komunës z. Leutrim Ajeti dhe z. Saša Deniċ, Këshilltar i Kryetares të Komunës së Graçanicës. Në këtë takim i prezantuam “Letrat e dëshirave dhe pritjeve” të pjesëmarrësve të Karvanit të adresuara Kryetares së Komunës Prof.Dr. Ljiljana Šubariċ, e cila për shkak të një angazhimi urgjent nuk kishte mundësi të ishte në këtë takim.
Z. Ajeti dhe z. Denić, shprehën vlerësimet e tyre ndaj kësaj iniciative dhe gjithashtu theksuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim në të ardhmen. Ata na informuan për bashkëjetesën ndër- etnike në Komunën e Graçanicës, e cila është shembull për Kosovë, në të cilën edhe incidentet e izoluara ndër- etnike janë zgjidhur me ndërmjetësimin e zyrtarëve komunal të komunitetit serb dhe shqiptar. Po ashtu, u informuam se Komuna e Graçanicës, është e vetmja komunë me shumicë serbe në Kosovë e cila ka shtruar iftar për komunitetin mysliman.