Ky projektligj është duke u sjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës me nguti, duke shkelur edhe procedurat e përcaktuara sipas rregullores së punës së Kuvendit për shqyrtimin e projektligjeve. Është e qartë që ky projektligj sjellët në Kuvend si rezultat i marrëveshjes së fundit të arritur mes dy kryeministrave, atij të Kosovës dhe Serbisë, të cilin shumica e deputetëve, po ashtu me nguti, e ratifikuan në seancën 27 qershorit 2013.

Kuptohet se integrimi i strukturave serbe të veriut në institucionet e Kosovës kërkon amnisti për grupin që kanë thyer ligjet dhe rendin kushtetues. Por, kjo amnisti duhet te vlejë vetëm për veri dhe vetëm për çështje humanitare, p.sh., në lëmin e arsimit, shëndetësisë, dhe çështjeve tjera themelore për jetesë. Si rrjedhojë është e pakuptueshme dhe në të njëjtën kohë shumë e dëmshme për ardhmërinë e shtetit tonë dhe ta gjitha komuniteteve të Republikës së Kosovës, që nëpërmjet këtij ligji tentohet të amnistohen edhe kryesit e veprave penale në jug të Kosovës të cilat nuk kanë të bëjnë me çështje humanitare, siç janë: (1) uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme; (2) asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor; (3) kontraktimi i përfitimit joporporcional; (4) tregtia e ndaluar; (5) ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore; (6) ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike; (7) cenimi i të drejtave të punësimit apo papunësisë; (8) Pengimi i personit zyrtarë në kryerjen e detyrave; (9) spiunazhi; e shumë të tjera.

Në emër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë po tentohet që të amnistohen veprat kriminale më eklatante të zyrtarëve të lartë publik, e që publiku vite me radhë po i përcjellë me vëmendje, që përbëjnë uzurpimin e të gjitha pronave private dhe publike edhe në jug (e jo vetëm në veri); rrahjen e zyrtarëve të autorizuar nga njerëz të afërt me zyrtarë publik edhe në jug; nepotizmin që deri më tani ka shkatërruar potencialin zhvillimor të Kosovës edhe në jug; kontrabandimi i produkteve mjekësore që kanë rrezikuar qytetarin e vendit edhe në jug; veprimtaritë e spiunazhit të cilat nuk kanë qenë veprimtari e hapur vetëm në veriun e vendit por edhe të organizatave kriminale në jugun e saj e që kanë dëmtuar vendin në masë të madhe; vjedhjet e shërbimeve publike edhe në jug.

Për fund, brenga jonë zgjerohet edhe më shumë duke marrë parasysh që ky projektligj lejon dykuptimësi në shumë raste dhe përmban referenca në ligjet dhe rendet kushtetuese që tanimë janë shuar me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të saj, ku si rezultat krijon edhe precedent në shumë raste gjyqësore në të ardhmen.

I thërrasim të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta kthejnë këtë ligj në rishqyrtim jo vetëm me deputetë, por edhe me qytetarë, ekspert të fushës, dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Nëse votohet Ligji në formën çfarë është, atëherë Kuvendi i Republikës do ti jap goditjen më të rëndë drejtësisë deri më sot, duke i barazuar shumë kriminelë me qytetarë të ndershëm.

Me nderime,

Ilir Deda
Drejtor Ekzekutiv

Shpërndaje këtë artikull