Përpos anëtarëve dhe stafit të KMFP-së, në përbërje të delegacionit ishin edhe Auditori i Përgjithshëm z.Lage Olofsson si dhe përfaqësuesit e Institutit KIPRED, z. Artan Venhari dhe z. Albert Krasniqi, të cilët punojnë drejtpërdrejtë në përkrahjen e komisionit dhe në ngritjen e kapaciteteve. Qëllimi i vizitës ishte të shihet më nga afër funksionimi i sistemit dhe institucioneve të përfshira në përpilimin dhe mbikëqyrjen financiare, si dhe të shkëmbehen përvojat me institucionet relevante.

Fillimisht, delegacioni i Kosovës vizitoj Asamblenë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë ku u prit në një takim nga komisioni homolog për Kontrollin e Financave Publike të kryesuar nga znj. Alenka Bratušek dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni. Në këtë takim u bisedua rreth sfidave nëpër të cilat ka kaluar ky komisionin dhe si i ka përballuar ato, kompetencave dhe mënyrën e organizimit të punëve. Më pas është vizituar Ministria e Financave e Republikës së Sllovenisë, ku është bërë një prezantim i hollësishëm nga z.Bojan Pogačar, drejtor i Departamentit të Buxhetit, lidhur me sistemin buxhetor dhe legjislacionin i cili rregullon përpilimin dhe miratimin e buxhetit si dhe hallkat e mbikëqyrjes së ekzekutimit të buxhetit dhe roli i komisioneve parlamentare në zbatimin e kësaj mbikëqyrjeje. Takimi i fundit ishte rezervuar në Gjykatën e Auditimit të Sllovenisë, ku u pritën nga presidenti z. Igor Šoltes. Më pas zëvendës presidenti i dytë z. Zoran Mladenovič mbajti një prezantim në lidhje me funksionin e Gjykatës, kompetencat e saj si dhe mënyrën e hartimit të raporteve të auditimit. Kujdes i veçantë i është kushtuar raporteve në mes të Gjykatës së Auditimit me Komisionin Parlamentar për Kontrollin e Financave Publike.

Me të përfunduar takimet zyrtare të planifikuara me institucionet Sllovene, anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike kanë mbajtur edhe një takim me Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës z. Lage Olofsson, lidhur me implementimin e njohurive të reja të fituara nga vizita në Slloveni, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit të këtyre dy institucioneve dhe rritjes së efikasitetit të auditimeve.

Shpërndaje këtë artikull