Largimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar (GDN) në fakt paraqet pasqyrën e gjerë të trajektores së bashkësisë ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor. Derisa roli i Shteteve të Bashkuara (ShBA) po zbehet në rajon, BE-ja ende nuk ka arritur që të bind të gjitha shtetet e veta anëtare që të kenë një qëndrim të unifikuar për rreth Kosovës.
Në raportin e fundit të KIPRED “Shteti i pa mbikëqyryr: Në Kërkim të Legjitimitetit Ndërkombëtar”, autorët Shpend Kursani dhe Ilir Deda thanë se për Kosovën është vështirë të fitojë legjitimitetin e plotë ndërkombëtar në kornizën e tanishme. Aspirata e Kosovës për të forcuar legjitimitetin ndërkombëtar edhe më tutje do të vazhdojë të qëndroj mbi themele të brishta, e qe varet nga: (1) vullneti i Serbisë për të bashkëpunuar, (2) aftësia e BE-së për të vlerësuar implementimin e kushteve të saj, posaçërisht aksionin e Serbisë për të bllokuar dhe sabotuar Kosovën nëpërmjet pesë shteteve mos-njohëse partnere në BE; dhe do të varet nga (3) përgjigja e shteteve mos-njohëse ndaj rekomandimit të Komisionit lidhur me MSA-në.
Ilir Deda tha se marrë parasysh se BE është e ndarë rreth statusit të Kosovës, instrumenti më i rëndësishëm që gëzon BE-ja në raport me Kosovën, ndoshta edhe i vetmi, është dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që për kompensim ka “më shumë BE”. Sipas Dedës dialogu gjithashtu i është prezantuar Kosovës si rrugë e vetme e saj për të bindur pesë shtetet mos-njohëse të BE-së që të ndryshojnë qëndrimin e tyre kundruall Kosovës, duke e bërë kështu dialogun si instrument të vetëm edhe për Prishtinën për të marrë “më shumë BE” dhe natyrisht “më shumë legjitimitet”. Në këtë mënyrë, dialogu është shndërruar në instrument që i shërben tri synimeve të ndryshme, që në rastin e Kosovës dhe Serbisë janë synime të kundërta: Për BE-në dialogu duket se mbetet instrumenti më serioz në tryezë për të trajtuar çështjen e statusit të Kosovës – duke supozuar se graviteti i saj për anëtarësim (më shumë BE) me të vërtetë stimulon palët në dialog për kompromis dhe pajtim; Për Kosovën dialogu duket se është shtegu më i mundshëm për gjetjen e rrugës për të dal nga pozita e saj e gjysmë-legjitimitetit ndërkombëtar; dhe Për Serbinë dialogu duket të jetë një instrument i fuqishëm për të vonuar Kosovën në forcimin e legjitimitetit të saj ndërkombëtar dhe për të kapitalizuar nga procesi i anëtarësimit në BE, tha Deda.
Duke i marrë parasysh këto sfida, Shpend Kursani tha se për të mbetur stabile dhe minimalisht funksionale, Kosova nuk mund t’i bëje ballë dhe nuk duhet të llogaris vetëm në një dialog: (1) në të cilin të dyja si Kosova ashtu edhe Serbia mbajnë ende pikëpamje dhe qëndrime absolutisht të kundërta sa i përket rezultateve të tij; (2) në të cilin lidershipi aktual i Serbisë nuk është i gatshëm dhe nuk ka vullnet për kompromis; (3) i cili është i bazuar në politikën “më shumë BE” e cila është e mbivlerësuar për Serbinë dhe e pazbatueshme për Kosovën; dhe (4) në të cilin kompromiset e bëra nga Kosova nuk janë të bazuara në potencialin për dobi të shoqërisë në aspektin afatgjatë, por në lidershipin e dobët dhe të diskredituar që i nënshtrohet lehtë presioneve nga jashtë.
Sipas autorëve, institucionet e Kosovës janë të shtyra që të kërkojnë legjitimtet ndërkombëtar në mënyrë të nxituar me dialog me Serbinë duke anashkaluar problemet dhe funksionimin e brendshëm.
Në këtë raport thuhet se Kosova duhet që të ndryshoj strategjinë e saj për realizimin e legjitimitetit më të lartë ndërkombëtar duke e forcuar shtetin përbrenda me përfshirjen e elementëve në vijim:1)në raport me Serbinë: Kosova duhet të vendoset mbi principin që vazhdimi i dialogut me Serbinë duhet të filloj me largimin e plotë dhe të verifikuar të strukturave paralele të sigurisë në veri; Kosova duhet të kushtëzoj vazhdimin e dialogut me zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët; Në periudhën afatgjate, Kosova duhet të shoh “normalizimin” e marrëdhënieve të saj me Serbinë si instrument për marrjen e ulëses në OKB. 2) Në raport me BE-në: Kosova duhet të investoj më shumë burime dhe përpjekje në marrëdhëniet me shtetet individuale anëtare të BE-së; Në periudhën afatmesme, Kosova duhet të kërkoj nga BE-ja garanci të besueshme se dialogu me Serbinë do të çoj kah njohja nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Shkarko publikimn e plote këtu.