Në fakt, janë disa suksese në zbatimin e dispozitave të Planit të Ahtisarit, sikurse që është krijimi i komunave të reja me shumicë serbe, decentralizimi, mbrojtja e trashëgimisë fetare dhe kulturore, miratimi i simboleve kombëtare, flamurit dhe himnit, duke reflektuar karakterin shumetnik, themelimi i Policisë shumetnike të Kosovës (PK), dhe përfshirja graduale e komuniteteve jo-shumicë në institucionet publike. Kështu që është shumë afër mendsh se përmbyllja zyrtare e pavarësisë së mbikëqyrur do të festohet. Njerëzve në Kosovë sikurse edhe atyre jashtë vendit do t’u tregohen për “të arriturat e mëdha” të shtetit të ri dhe të mbikëqyrësve të saj ndërkombëtar.
Sipas autorëve të këtij raporti z Ilir Deda drejtor i institutit KIPRED, dhe z. Shpend Kursani hulumtues i lartë në institut, kjo festë, megjithatë, do të shmang problemet e vërteta të Kosovës: ajo mbetet e ndarë përbrenda dhe me legjitimitet të kufizuar në arenën ndërkombëtare. Pos kësaj, në përgjithësi ka mangësi në zbatimin e legjislacionit të aprovuar, Kosova ka probleme të thella sa i përket funksionimit themelor demokratik. Pjesa veriore mbetet de-facto e ndarë, një situatë kjo që rrezikon të minoj të gjitha sukseset e arritura në jug të vendit. Siguria e shtetit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të vazhdoj që t’i besohet trupave, mandatet e të cilave burojnë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), përkatësisht KFOR-it dhe EULEX-it.
Kësisoj mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare nuk do të përkthehet në përfundim dhe bartje të kompetencave nga misionet përkatëse ndërkombëtare ushtarake dhe të sundimit të ligjit te autoritetet e Kosovës, respektivisht te Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Qeveria e Kosovës, ashtu siç parashihej në Planin e Ahtisarit. Këto misione ndërkombëtare dhe fati i tyre përfundimtar do të vendosen pas ndryshimeve në Rezolutën 1244, që varet nga Rusia, vendimi përfundimtar i së cilës varet nga vullneti i Serbisë dhe qëndrimit të saj kundruall Kosovës.
Personeli ndërkombëtar i emëruar nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të mbetet akoma i pranishëm në institucionet më të rëndësishme publike të shtetit. Së fundi, për shkak të mungesës së përkushtimit nga ana e sponsorëve të pavarësisë së mbikëqyrur, legjitimiteti ndërkombëtar i Kosovës po mbështetet gjithnjë e më shumë në Serbinë dhe në "normalizimin e marrëdhënieve" me Beogradin, sesa te mbikëqyrësit e saj ndërkombëtarë, të cilët ishin përgjegjës për këtë. Në aspektin strategjik, Kosovës po i mungon perspektiva për tu futur në programin e "Partneritetit për Paqe" të NATO-së dhe mbetet pa marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian (BE) - nga të cilat varen jo vetëm reformat, por po ashtu edhe siguria dhe stabiliteti i vendit.
Më me rëndësi, Bashkimi Evropian nuk e ka gjetur një mënyrë se si të përfshijë Kosovën në agjendën evropiane, për shkak të mos njohjes nga pesë vendet anëtare. BE-ja nuk mund të nënshkruaj marrëveshje konktraktuale me jo-shtetet dhe i duhet konsensusi i të gjitha vendeve anëtare për të vazhduar me nënshkrimin e marrëveshjeve kontraktuale. Duke mos qenë në gjendje që të bind anëtarët e vet për njohjen e Kosovës, BE-ja nuk mund të përdor në tërësi levat e veta mbi Prishtinën. Në këtë mënyrë, Kosova është e vendosur në një pozicion për të kërkuar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke shpresuar se kjo “marrëdhënie e re” do të çoj vendet mos-njohëse të BE-së drejt ndryshimit të qëndrimit të tyre kundruall statusit të Kosovës, e që do të rezultonte me më shumë njohje globale dhe përfundimisht me anëtarësim në OKB dhe në organizatat tjera relevante ndërkombëtare. Mirëpo, mësimet e nxjerra nga pozita e Serbisë ndaj dhe veprimet e saja kundër Kosovës gjatë dialogut të fundit teknik nuk lënë shumë vend që shpresat e tilla të materializohen.
Shkarko punimin e plotë këtu.