Prishtinë, 31 mars 2016 – Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) dhe partneri zbatues, Syri i Vizionit (SiV), organizuan një tryezë të rrumbullakët me temë: “Reagimi ndaj Pastrimit të Parave në Kosovë: Në mes të Politikave dhe Praktikës”, për të prezentuar draft raportin me të njejtin titull, i cili përmban të gjeturat kryesore dhe rekomandimet rreth kësaj çështjeje.
Kjo ishte tryeza e pestë e organizuar në kuadër të projektit "Përmbushja e kërkesave të BE-së për Qeverisje të mirë, për Integrimin e mëtejshëm Evropian të Kosovës", projekt i cili është financuar dhe mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga institucionet kyçe të sundimit të ligjit në Kosovë nga niveli qendror dhe lokal si: Ministria e Drejtësisë, Njësia për Inteligjencë Financiare, Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Banka Qëndrore e Republikës së Kosovës, Gjykata Themelore (Gjakovë), Gjykata Themelore (Pejë), Prokuroria Themelore (Pejë),përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë siç janë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, OSBE, përfaqësues nga ambasadat e akredituara në Kosovë dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Paneli i kësaj tryeze, i përbërë nga përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ministrisë së Drejtësisë, Institutit të Kosovës për Drejtësi, dhe hulumtues të KIPRED dhe SiV, hapën diskutimin rreth kësaj teme nga këndvështrimi respektiv.
Znj. Ariana Qosaj-Mustafa, menaxhere e këtij projekti dhe njëkohësisht hulumtuese e lartë në KIPRED, prezentoi metodologjinë e punës hulumtuese, të gjeturat e deri më tanishme dhe rekomandimet në fushën e pastrimit të parave, me fokus politikat dhe praktikat e deri tanishme në luftimin e kësaj dukurie.
“Korniza ligjore kundër pastrimit të parave është në masë të madhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, me disa mangësi të cilat priten të adresohen në ligjin e ri, i cili është në hartim e sipër. Po ashtu, konsiderohet se reagimi institucional ndaj këtij fenomeni nuk është shumë i kënaqshëm duke qenë se numri i aktakuzave, dhe sidomos aktgjykimeve është shumë i vogël. Në mënyrë që të luftohet suksesshëm pastrimi i parave, duhet që të ketë një koordinim dhe bashkëpunim më të mirë të të gjitha institucioneve përgjegjëse në luftimin e kësaj dukurie” - tha znj. Ariana Qosaj-Mustafa.
Si shqetësues u konsiderua edhe fakti që partitë politike vazhdojnë të mos raportojnë rregullisht tek Njësia e Inteligjencës Financiare e Kosovës (NJIF), ndërsa shumica e kompanive të fuqishme në vend mbeten të lidhura ngushtë me partitë politike dhe vazhdojnë të fitojnë tenderë dhe financim në formë të tenderëve publikë. Po ashtu, rezultatet e e Prokurorisë Speciale dhe Gjykatave vazhdojnë të jenë të vogla, ndërsa Policia ka shënuar një rritje të lehtë në hetimin e këtrye rasteve. Gjatë vitit 2015, Prokuroria Speciale arriti të zgjidhë vetëm 6 (gjashtë) raste kundër 14 personave , ose 17% të rasteve. Numri i personave të akuzuar nga prokurorët special ishte edhe më e ulët në vitin 2015, me 6 (gjashtë) persona të akuzuar në krahasim me vitin 2014. Sa i përket rasteve lidhur me aktgjykimet finale per pastrimin e parave në vitin 2015 ka qenë vetëm një rast. Në anën tjetër, u diskutua edhe rëndësia e mekanizmave mbrojtës për zyrtarët që deponojnë informata lidhur me rastet e pastrimit të parave, si dhe mbrojtjen e dëshmitarëve.
Pjesëmarrësit në tryezë diskutuan për gjetjet e KIPRED dhe SiV dhe shprehën mendimet e tyre në lidhje me zgjidhjet më efikase rreth çështjes së pastrimit të parave. Diskutimet u fokusuan në rritjen e vullnetit politik dhe gatishmërisë të institucioneve të sundimit të ligjit që të trajtojnë me seriozitet lëndët e pastrimit të parave.