Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) dhe partneri zbatues, Syri i Vizionit (SiV), organizuan një tryezë të rrumbullakët me temë: “Kërkesat e BE-së për Kosovën: Lufta Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore” për të prezentuar të gjeturat dhe diskutuar rreth kësaj çështjeje.

Kjo ishte tryeza e tretë e organizuar në kuadër të projektit "Përmbushja e kërkesave të BE-së për qeverisje të mirë, për Integrimin e mëtejshëm Evropian të Kosovës", projekt i cili është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. 

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga institucionet kyçe të sundimit të ligjit në Kosovë nga niveli qendror dhe lokal si: Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit-Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Policia Kufitare, Gjykata Themelore (Gjakovë), Prokuroria Themelore (Gjakovë) dhe Qendra për Punë Sociale (Pejë).

Fillimisht, u prezentuan të gjeturat fillestare të projektit nga ana e KIPRED dhe SiV, për të vazhduar më tej me diskutimet e akterëve të pranishëm në tryezë. Tryezën e hapi zyrtarja e projektit nga OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë, Vlora Gaxherri, e cila prezantoi para pjesëmarrësve të dhënat e përgjithshme për projektin.

Znj. Ariana Qosaj-Mustafa, menaxhere e këtij projekti dhe njëkohësisht hulumtuese e lartë në KIPRED, prezentoi metodologjinë e punës hulumtuese, të gjeturat e deri më tanishme dhe rekomandimet në fushën e trafikimit me qenie njerëzore.

“Edhe pse korniza ligjore në kundër trafikimit me qenie njerëzore është e mjaftueshme, dhe po konsiderohet të merret si model nga Shqipëria, prapëseprapë ka sfida në zbatimin e ligjeve respektive. Po ashtu, është i nevojshëm, financimi i qëndrueshëm për kompenzimin e viktimave dhe për strehimoret” - tha znj. Ariana Qosaj-Mustafa.

Pjesëmarrësit në tryezë diskutuan për gjetjet e KIPRED dhe SiV dhe shprehën mendimet e tyre në lidhje me zgjidhjet më efikase rreth çështjes së trafikimit me qenie njerëzore, duke përfshirë edhe problemin e kërkim-lëmoshës së fëmijëve. Diskutimet u fokusuan në përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e institucioneve të Kosovës, në mënyrë që të lehtësohet rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së dhe të tejkalohen problemet e lartëpërmendura.

 

Shpërndaje këtë artikull