Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave - KIPRED, ka mbajtur sot tryezën me temë “Subjektet politike në Kosovë: Demokracia e brendshme, sistemi politik, dhe fushata zgjedhore’. Në këtë tryezë u zhvillua diskutimi ndërmjet përfaqësuesve të pesë subjekteve politike kryesore në Kosovë, shoqërisë civile, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave dhe institucioneve tjera relevante.

Në tryezën e moderuar nga Drejtori Ekzekutiv i KIPRED Lulzim Peci, u diskutuan temat kyçe dhe aktuale që kanë të bëjnë me proceset e brendshme demokratike të partive politike në vend, kuotat gjinore, përfshierjen e grupeve të margjinalizuara në partitë politike, ligjin për zgjedhjet, proceset zgjedhore të liderëve partiak, ideologjitë e partive, listat e votimeve dhe tema të tjera që ndërlidhen me demokracinë e brendshme partiake.

Kjo tryezë u organizua nga KIPRED në kuadër të projektit “Studim Krahasues i Sistemit Zgjedhor në Ballkan; Ndikimi i Votës Personale në Demokracinë e Brendshme Partiake” i cili përkrahet nga Regional Research Promotion Programme – Western Balkans dhe Universiteti i Friburgut, ndërsa financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Çështjet e ngritura gjatë diskutimit të sotëm do të trajtohen në studimin që KIPRED është duke e bërë në lidhje me funksionimin e partive politike, sistemin zgjedhor dhe politik, dhe demokracinë e brendshme partiake.

 

Shpërndaje këtë artikull