KOMUNIKATË PËR SHTYP
Fushata Dezinformuese e mediave ruse dhe serbe kundër Kosovës:
Çfarë mësimesh mund të nxirren nga monitorimi i mediave gjatë vitit 2020? Gjatë vitit të kaluar, Instituti Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), i përkrahur nga Open Information Partnership (OIP) nga Londra, i ka monitoruar lajmet e publikuara që kishin të bënin me Kosovën nga një numër i mediave serbe dhe ruse, përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse dhe Kremlinin. Mediat e përzgjedhura serbe që janë monitoruar gjatë vitit të kaluar kanë qenë Tanjugu, Informeri, Novosti, Kuriri, B92-shi, Politika dhe Naša Borba, ndërsa mediat e përzgjedhura përkatëse me origjinë ruse ishin Russia Today, Sputnik International, Sputnik Serbia, Meduza, Russia Insider, TASS, The Moscow Times, Newsfront, Unz, The Duran, dhe Pravda Report, si dhe Ministria e Jashtme Ruse dhe Kremlini.
Monitorimi i të dhënave ka treguar se nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2020, mediat e përzgjedhura serbe i kanë publikuar 4.800 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën, ku Tanjugu i kishte botuar 701 prej tyre, Informeri 720, Novosti 783, B92-shi 1,642, Kuriri 183, Politika 569 dhe Naša Borba 69 lajme. Përqindja më e madhe e lajmeve të publikuara në këto media për Kosovën që kishin dezinformata janë botuar para krijimit të Qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga Albin Kurti dhe menjëherë pas kësaj, domethënë në janar, që e arrinte vlerën 12,40%, dhe në shkurt, 7,80%, pasuar nga periudha që i parapriu Marrëveshjes së Washingtonit, në gusht, me 6,70%, dhe ajo pas rënies së Qeverisë Kurti, në prill, që e arrinte përqindjen 5,47%.
Trendet dezinformuese për muajt e tjerë ishin paksa më të ulët, në mars 5,21%, maj 4,35%, Rruga “Major Mehmet Bushi”, H.III/1 10 000 Prishtinë, Kosovë Tel/Fax: +383 (0) 38 542 778 Email: info@kipred.org Web: www.kipred.org dhjetor 4,10%, qershor 3,32%, tetor 3,00%, korrik 2,30%, nëntor 1,70% dhe në shtator 1,50%. Për shkak të numrit të madh të lajmeve që përmbanin dezinformata gjatë vitit 2020, KIPRED-i e ka bërë dekonstruktimin e 68 prej tyre, dhe atë të rasteve të lajmeve me dezinformatat më flagrante.
Dekonstruktimi i këtyre lajmeve tregon se dezinformatat e mediumeve të përzgjedhura serbe synonin krijimin dhe forcimin e narrativave për lëkundjen e themelit të legalitetit të shtetësisë së Kosovës dhe që e mohojnë të drejtën e saj për ta ushtruar sovranitetin si shtet i pavarur, duke e akuzuar atë për mosrespektimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të ndihmuar nga Bashkimi Evropian, duke i diskredituar institucionet dhe udhëheqësinë e saj, posaçërisht udhëheqësit që vinin nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish Kryeministrin Albin Kurti, duke e paraqitur atë si një shtet të dështuar dhe problematik që është shndërruar në “një shtet të mafisë” dhe vatër të krimit të organizuar, të trafikimit dhe radikalizmit, i cili po ashtu e shtyp komunitetin lokal serb, e planifikon dëbimin e tij përmes operacioneve sekrete ushtarake, dhe e rrezikon trashëgiminë e Kishës Ortodokse në vend. Për më tepër, ato po ashtu synojnë ta diskreditojnë edhe praninë ndërkombëtare në Kosovë, duke e akuzuar atë për “dështim” në shtetndërtimin e Kosovës, posaçërisht në trajtimin e drejtësisë lidhur me krimet e luftës.
Një dimension interesant i këtyre lajmeve që përmbajnë dezinformata janë përpjekjet për ndryshimin e narrativave për Luftën e Kosovës, përmes mohimit të krimeve të luftës të kryera nga Beogradi në Kosovë, duke i paraqitur serbët si viktimat e vetme dhe NATO-n si një agresor që ka kryer krime të luftës, duke e rritur numrin e viktimave serbe, dhe duke e paraqitur luftën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi si një luftë fetare, dhe UÇK-në si një formacion ushtarak islamist.
Nga ana tjetër, monitorimi i të dhënave tregon se nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2020, mediat me origjinë ruse kanë publikuar 1,878 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën. Sputnik Serbia ka publikuar 1,592, Sputnik International 41, Russia Today 59, Russia Insider 13, Meduza 1, TASS 40, The Moscow Times 8, Pravda Report asnjë, Newsfront 55, UNZ-i 15, The Duran 15, Kremlini 4 dhe Ministria e Jashtme e Federatës Ruse 35 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën.
Përqindja më e lartë e lajmeve të publikuara nga këto media gjatë kësaj periudhe për Kosovën që kanë përmbajtur dezinformata është ka qenë gjatë tre momenteve të rëndësishme të zhvillimeve politike në vend. Momenti i parë ka qenë i ndërlidhur me krijimin e qeverisë VV-LDK. Gjatë muajit të dytë të kryeministrimit të Kurtit, në mars, përqindja e lajmeve që kanë pasur dezinformata ka qenë 12,4%, pasuar me periudhën menjëherë pas rënies së qeverisë së tij, në prill, me 12,16%, dhe një muaj para krijimit të qeverisë së koalicionit VV-LDK, në janar, me 11,76%. Momenti i dytë ka qenë i ndërlidhur me krijimin e qeverisë Hoti, në fillim të qershorit dhe me vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në Washington, që fillimisht ishte paraparë për 27 qershor 2020, por që u shty për shkak të publikimit të propozim-aktakuzës nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, më 24 qershor, dhe në periudhën vijuese, domethënë, përqindja e lajmeve me dezinformata nga këto botime mediale ishte 12,2% në qershor, dhe 11,2% në korrik. Momenti i tretë përkoi me rënien e qeverisë Hoti në dhjetor, që e arriti vlerën prej 11,4% të lajmeve dezinformuese për Kosovën të botuara nga këto media.
Është interesante, përqindja më e ulët e lajmeve dezinformuese u botua në shkurt (3,47%), që përkoi me krijimin e qeverisë Kurti, pasuar nga tetori (5,0%), shtatori (7,4%), gushti (7,6%) dhe nëntori (8,7%). Për shkak të numrit të madh të lajmeve që kanë pasur dezinformata, të botuara nga mediat në Rusi gjatë vitit 2020, KIPRED-i e ka bërë dekonstruktimin e 57 prej tyre që kanë përmbajtur dezinformatat më flagrante. Dekonstruktimi i dezinformatave të botuara nga këto media tregon se synimi i tyre kryesor ka qenë që lëkundin themelet shtetësisë së Kosovës duke e vënë në pyetje të drejtën e saj për ta ushtruar sovranitetin e vet dhe duke e paraqitur shtetësinë e saj si ilegale dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke e krahasuar atë me rastet e Krimesë dhe të Nagorno-Karabahut, duke e paraqitur si kërcënim për sigurinë ndërkombëtare dhe si strofull të ekstremizmit, duke e paraqitur si një kuazishtet që e shtyp komunitetin serb dhe komunitetet e tjera jo-shumicë, duke e prezentuar si një shtet të ligë dhe kriminal, duke i zhveftësuar përpjekjet ndërkombëtare dhe vendëse për drejtësi tranzicionale, duke e akuzuar për mosrespektimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe në Washington, si dhe duke i diskredituar institucionet dhe lidershipin e saj.
Një dimension interesant i këtyre dezinformatave, ngjashëm me ato që janë botuar nga mediat e përzgjedhuara serbe, është përpjekja e tyre për t’i ndryshuar narrativat e Luftës së Kosovës. Lidhur me këtë, ato pohojnë që Kosova është një krijesë shtetërore që është krijuar përmes një “gjenocidi” të përkrahur nga vendet Perëndimore kundër popullatës serbe, duke e akuzuar Kosovën dhe NATO-n për krime të luftës kundër popullatës serbe, duke e rritur numrin e viktimave serbe gjatë Luftës së Kosovës, dhe duke i mohuar krimet e luftës të bëra nga Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës. Diskursi dhe narrativat dezinformuese për Kosovën dhe për Perëndimin, të mediave të serbe dhe të atyre me origjinë ruse janë të njëjtat, me të vetmin dallim të vogël që mediat serbe nuk e bëjnë krahasimin e Kosovës me rastin e Krimesë.
Për më tepër, dëshmitë tregojnë se pas B92-shit, Sputnik Serbia boton më shumë lajme se çdo media tjetër në Serbi, dhe se përqindja e lajmeve që përmbajnë dezinformime për Kosovën dhe për rolin e Perëndimit në lirinë dhe shtetndërtimin e saj, është shumë më e lartë i atyre të publikuara nga mediat me origjinë ruse, se sa atyre serbe.
Lulzim Peci, Drejtor Ekzekutiv