Qëllimi i dezinformatave flagrante të gjeneruara në janar të vitit 2020 nga mediat e përzgjedhura serbe në raport me Kosovën tregon që këto dezinformata janë të përqendruara në mohimin e krimeve të luftës që janë kryer nga forcat e armatosura serbe gjatë konfliktit të viteve 1998–1999, në diskreditimin e udhëheqësisë dhe të institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe të asistencës së dhënë Perëndimore, në projektimin e Kosovës dhe të Malit të Zi si shtete problematike, dhe në interpretimin e bashkëpunimit rajonal ndërkufitar të përkrahur nga BE-ja midis Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë si një përkrahje të cilën Mali i Zi e bën për krijimin e shtetit fantazmë të “Shqipërisë së Madhe.”
Qëllim i këtij punimi është ta dekonstruktojë idenë e bashkimit eventual mes Shqipërisë dhe Kosovës duke i analizuar modalitetet e ndryshme të kësaj çështjeje. Për këtë qëllim, në veçanti janë analizuar konsideratat e brendshme dhe ato ndërkombëtare që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në fizibilitetin dhe qëndrueshmërinë e idesë së bashkimit mes dy vendeve. Me theks të veçantë, ky punim hedh dritë në implikimet e bashkimit të të dyja vendeve në raport me Kombet e Bashkuara (KB), Organizatën e Traktatit Veri - Atlantik (NATO) dhe Bashkimin Evropian (BE).